Kombëtarja shqiptare thuhet se ka marrë një goditje të madhe, jo vetëm në cilësi por edhe në imazh, me largimin rrufe të Adrian Bajramit në mesin e dasmës, duke na kujtuar atë nusen që braktis dhëndrin në altar. Çfarë dasme e dështuar, darkë e helmuar dhe fund i shëmtuar. Një darkë e shtruar nga FSHF dhe e servitur po nga FSHF si një tradhti, një thikë pas shpine ndaj ndjenjave të dasmorëve.
Por çfarë ndodh prej vitesh në ekipet zinxhir të kombëtareve? Kush janë njerëzit që sot vendosin se kush vjen apo ikën nga skuadrat kuqezi, për të cilat ëndërrojnë mijëra e mijëra fëmijë emigrantësh, por fatin për ta veshur fanellën e kanë ata që janë “prekur” nga Zoti… i futbollit shqiptar?
Kush është sot, e sa vite ka në krye të Kombëtares U-21? Po përgjegjësi i ekipeve kombëtare që ka fjalën e fundit, dhe ajo është pothuajse përherë në gjuhën italiane? A jemi ndalur ndonjëherë të reflektojmë për të gjetur arsyet pse “Bajramët” nuk na preferojnë?
Kush mendon se mjafton pesha e fanellës për t’i dhënë drejtim zgjedhjes së një lojtari profesionist, gabohet. Sot futbolli nuk është vetëm himn kombëtar, por shumë më tepër.
Çfarë i mungoi Bajramit, e më herët Xhakës, Shaqirit apo Januzajt, për të thënë “po”? Askush nuk di ta thotë me zë të lartë, por e vërteta është e qartë: sot Kombëtarja dhe kombëtaret nuk janë më “pronë” e njerëzve, por e një institucioni të vetëm.
Kombëtarja shqiptare e futbollit sot ka pësuar një goditje të madhe për imazhin e saj, teksa një lojtar i cili prej tre vitesh ishte pjesë e grupit kuqezi, Adrian Bajrami, ka vendosur të shkojë te Zvicra.
Nga Pirro Bardhyli