Toti vendos të ardhmen në “valixhe”, niset për pushime në Greqi!

Pas lamtumirës së mrekullueshme dhe të hidhur, Françesko Toti duhet të vendosë se çfarë do të bëjë në të ardhmen, që do të thotë në shtator. Pasi është menduar për disa ditë, ish-kapiteni i Romës, ka vendosur përfundimisht që të bëjë gati valixhet, por jo për të shkuar në një destinacion të ri sportiv, veçse për pushime. Mediat italiane njoftojnë se Toti do të jetë në plazhet e Greqisë, ndoshta në Santorini apo diku tjetër, dhe vetëm pasi pushojë do të mendojë se çfarë do të bëjë. Të paktën, këto do të jenë pushimet e para në jetë që do t’i bëjë pa kokëçarje, pasi nuk ka asnjë datë grumbullimi me ekipin.

E shoqja, Ilari, do të ketë në shtator programin e saj “Vëllai i Madh Vip” (Big Brother), dhe Françesko nuk do të donte të shkonte në Kinë apo në Gjirin Persik për të luajtur ende futboll dhe duke mos e pasur familjen pranë. Një njeri si ai nuk mund ta pranojë këtë gjë, sidomos në moshën 41-vjeçare, që e mbërrin në vjeshtë. Do të pritet një takim i Totit me drejtuesin e ri sportiv të Romës, Monçi (që ka shkuar në Spanjë për nja dy ditë) përpara sesa të mësohet se çfarë do të bëjë legjenda romane. Nuk përjashtohet mundësia të jetë në rol drejtues tek Roma, por as që mund të largohet.

Sfidanti.al