Tieri Henri thotë se Arsen Vengeri dhe Pep Guardiola janë standardet që ai synon të arrijë, por se, sidoqoftë, ai dëshiron që të arrijë edhe rezultatet që kanë arritur bashkatdhetarët e tij, Didie Deshamp dhe Zinedin Zidane. Legjenda e Arsenalit dhe e Francës, Henri, javën e kaluar, nisi një aventurë të re, duke u bërë trajner i Monakos në vend të Leonard Zhardinit.
“Kur erdhi propozimi që unë të bëhesha trajner i Monakos, nuk u mendova shumë, sepse propozimi mua m’u duk logjik, kështu që unë pranova menjëherë. Ju e dini lidhjen time të ngushtë me Arsenalin, por, sidoqoftë, unë fillova të luaj futboll pikërisht në këtë klub (Monako). Në zemrën time gjithnjë ka vend për këtë klub. Në fakt, edhe fillimet e mia si trajner unë i kam në këtë klub. Mua më pret një punë e madhe këtu, por jam shumë i gëzuar që erdha të punoj këtu”, tha Anri në promovimin e tij zyrtar, duke shtuar:
“Arsen Vengeri m’i ka kthjelluar shumë gjëra në kokën time, sidomos ai më bëri të kuptoj se ç’do të thotë të jesh profesionist. Unë akoma kam në kokë shumë gjëra që më ka mësuar Vengeri”.
Sfidanti.al