Tirana niset për “kismet” në Champions, Dudelanzhi është një … Skënderbe

Natyrisht, kur ekipin nga Luksemburgu e krahasojmë me ish-kampionen e Shqipërisë, nuk duam të nënkuptojmë mbështetjen e njëjtë politike, pasi në Principatën e vogël europiane këto gjëra nuk ekzistojnë. Gjithsesi, duke lënë mënjanë qeveritarët si Berisha e Bode, në fushën e lojës Dudelanzhi ka qenë një Skënderbe në kuptimin që ka arritur dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Europës në 2018 e 2019. Janë, pra, histori të vonshme që Tirana jonë nuk i ka parë as me dylbi, ndonëse në opinion është krijuar ideja se kampionët e Shqipërisë do ta kenë të lehtë, ose të paktën që patën një short të favorshëm.

Dudelanzhi që në 2012 eliminonte kampionen e Austrisë, Red Bull Salcburg, ndërsa në 2018 mundi Legian e Varshavës e Kluzhin e Rumanisë. Në atë kohë, “Gazeta Sporturilor” e Bukureshtit e quajti eliminimin “turpi më i madh në historinë e futbollit rumun”. Mos vallë, edhe gazetat tona do të shkruajnë të njëjtën gjë sikur (mos e Zot), eliminohet Tirana? Gjithsesi, bardheblutë janë nisur sot për “kismet” drejt Luksemburgut dhe duan një tjetër kualifikim si para dy vitesh kur eliminuan Dinamon e Tbilisit të Gjeorgjisë. Trajneri Shehi mesa kuptohet nuk ka probleme me formacionin, veçse vëmendja dhe vlerësimi duhet të jenë në nivele maksimale. Dudelanzhi në 2018 barazoi me Betisin në grupet e Ligës së Europës, po ashtu mundi APOEL-in e Limasolit në grupe në 2018, pra kundërshtari është vërtet i sprovuar.

Formacioni i mundshëm (4-3-3): Bekaj, Toshevski, Behiraçe, Najdovski, Ismailgeci, Aleksi (Hila), Totre, Lima, Xhixha, Seferi, De Silva.

Sfidanti.al