Skuadra durrsake ka qenë e akomoduar në qytetin e qetë të Opelenicës, në një prej hoteleve më luksozë të zonës, “Remes Hotel”, ku kushtet e punës dhe të akomodimit kanë qenë optimale. Trajneri Edi Dobi, i vendosur këtë verë në krye të pankinës së “Djemve të Detit”, e ka vlerësuar si një fazë përgatitore të nivelit të lartë, si nga aspekti fizik, ashtu edhe ai taktik. “Kemi punuar me intensitet dhe kemi parë reagimin e skuadrës. Kushtet ishin perfekte për atë që donim të arrinim”, është shprehur tekniku.
Teuta ka qenë një nga klubet më aktive në merkaton e verës. Drejtuesit kanë sjellë disa emra të rinj me kualitet, duke përfshirë lojtarë me eksperiencë dhe perspektivë, të cilët pritet t’i japin një dimension tjetër skuadrës. Këtë verë janë afruar: Gentian Selmani, Arlis Shala, Florjan Përgjoni, Ardit Toli, Harallamb Qaqi, Albi Doka, Sebastian Gonzales Zela dhe David Fadairo. Këta futbollistë janë menduar për të forcuar çdo repart dhe për të rritur konkurrencën e brendshme, me qëllimin e qartë për të mos përsëritur sezonin e vështirë të vitit të kaluar.
Gjatë qëndrimit në Poloni, Teuta zhvilloi dy ndeshje miqësore: një fitore dhe një humbje. Për stafin teknik, rezultatet ishin më pak të rëndësishme sesa provat taktike dhe përshtatja e lojtarëve të rinj me grupin. Përmes këtyre testeve, Dobi ka krijuar një ide më të qartë për formacionin bazë.
sfidanti.al