Darwin Núñez mbyll kapitullin me Liverpool-in, nis zyrtarisht aventurën e re te Al-Hilal

Darwin Núñez nuk është më lojtar i Liverpool-it. Sulmuesi uruguaian ka firmosur me gjigantin e Arabisë Saudite, Al-Hilal, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij. Marrëveshja u mbyll për 53 milionë euro, ndërsa lojtari ka nënshkruar një kontratë trevjeçare.

26-vjeçari iu bashkua Liverpool-it në verën e vitit 2022 nga Benfica për një shumë fillestare prej 64 milionë eurosh. Në dy sezone me “The Reds”, ai realizoi 40 gola në 143 paraqitje, por edicioni i kaluar, pavarësisht titullit kampion, nuk ishte ai i pritshmërive: vetëm tetë herë si titullar në Premier League. Në njoftimin zyrtar, klubi anglez shprehu mirënjohjen për kontributin e lojtarit:

“Të gjithë në klub falënderojnë Darwin-in për gjithçka që ka dhënë dhe i urojnë atij e familjes së tij gjithë të mirat për të ardhmen.”

Núñez tashmë i është bashkuar skuadrës së trajnerit Simone Inzaghi në kampin stërvitor parasezonal që po zhvillohet në Gjermani. Largimi i tij pritet të ndikojë edhe në strategjinë e merkatos së Liverpool-it, që sipas mediave angleze, po shton përpjekjet për të siguruar shërbimet e suedezit Alexander Isak. Megjithatë, Newcastle ka refuzuar ofertën fillestare prej 110 milionë eurosh.

Një fund epoke në “Anfield” dhe një sfidë e re në Arabinë Saudite, Darwin Núñez është gati të shkruajë faqen tjetër të historisë së tij.

sfidanti.al