E fyejmë Shkodrën, kur futbolli shpëlan jashtëqitjet e politikës

Transferimi i ndeshjes Shqipëri – Izrael nga Shkodra në Elbasan, po trajtohet si diçka normale dhe në FSHF janë më shumë të impenjuar për t’i gjetur vendin biletave tashmë të shitura e si duhet të sillen tifozët në shkallët e stadiumit. Në fakt, po flitet për masa të munguara sigurie, për arrestime të disave që dyshohet se kanë lidhje me ISIS, si dhe për frikën e akteve të mundëshme terroriste gjatë zhvillimit të ndeshjes. Pra po flitet për diçka shumë të rëndë, që nuk ka ndodhur kurrë më parë në Shqipëri, ndërsa institucioni që drejton futbollin në vend ka nxjerrë një komunikatë të thatë, duke pranuar çdo vendim që të huajt marrin për ne, qoftë edhe nga më absurdet. Këta që brenda kufinjve tanë sillen si të fortë, pranojnë që të huajtë të na nëpërkëmbin dhe nuk u bën asnjë përshtypje, që fyet Shkodra, një nga qyetet më të rëndësishme të vendit.

Në prag të finaleve të Europianit, “Francë 2016”, në Paris ndodhën sulme terroriste që ngjethën të gjithë botën, madje pati tentative të sulmohej stadium “St. Denis” kur po luhej ndeshja Francë – Gjermani. Por ndryshe nga këta tanët, francezët u treguan shumë më dinjitoz dhe organizuan një kampionat model, pa lëvizuar asgjë nga programi i përcaktuar që përpara sulmeve të përgjakshme. Dhe injoruan kështu një terror konkret që solli shumë dhimbje, ndërsa këtu gjynjëzohen përballë një terrori imagjinar, që ngjan më shumë me një shpikje të huajsh.