Tare në sulm, synon një “bomber” për Allegrin

Në Milano, në këtë rikthim të tij të dytë, Allegri po has në një problem të papritur, mungesën e një finalizuesi. Të papritur, pasi në letër, Allegri ka në dispozicion lojtarë si Gimenez apo Nkunku, por “hallet” e tij në sulm i kanë zgjidhur gjithnjë lojtarë si Leao apo Pulisic, dy golashënuesit më të mirë, të dy në kuotën e 4 golave. Në kushte të tilla, Igli Tare pritet të vihet në lëvizje për t’i vendosur në dispozicion një “bomber” të ri.

Nga Italia, mediat bëjnë me dije se Tare po përpiqet këtë periudhë të “josh” Robert Lewandowski-n, sulmuesin e Barcelonës. Lewa futet në vitin që i përfundon kontrata, qershor 2026, dhe Barça nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i ofruar një rinovim, edhe pse polaku u rikthye sërish të bëjë protagonistin me një “tripletë” ndaj Celta-s. Sipas Sportitalia, në janar është thuajse e pamundur për të arritur te polaku, por kjo pistë mund të ndizet në verë, kohë në të cilën edhe e ardhmja e tij do të jetë më e qartë pasi Lewandowski mbetet në pritje të një oferte nga ana e Barcelonës.

Jo vetëm Lewandowski, gjithnjë sipas mediave italiane, në listën e Igli Tares ka përfunduar edhe sulmuesi i Juventus, Jonathan David. Ish sulmuesi i Lille, nuk po arrin të përshtatet në Torino, vetëm 1 gol i shënuar me fanellën bardhezi. David nuk shihet si preferencë e parë nga Spalletti dhe nga kjo situatë kërkon të përfitojë Igli Tare.

TuttoSport shton se David është profili i lojtarit që Allegri pëlqen. Sigurisht, përpara se Tare të hidhet në sulm për të gjetur një sulmues të ri, më parë duhet të lirohet nga Gimenez. Nëse Tare arrin të shes meksikanin në janar, do të trokas në derën e “Zonjës së Vjetër” me një ofertë zyrtare për David, huazim me të drejtë blerje.

sfidanti.al