Super-Spanja që mahniti botën

Shpesh thuhet se e bukura e futbollit është se është i paparashikueshëm, ndryshimi i papritur që i lë të gjithë me gojën hapur. Por në finale ndodhi e kundërta, shkoi ashtu siç ishte më e logjikshme. Asnjë kombëtare më shumë se s Spanja nuk meritonte të fitonte Euro 2024. Për atë që shfaqi në fushë, si e tregoi dhe për individët që e realizuan. E kuptuan që në fillim të turneut të gjithë. Italianët sidomos, por edhe ne shqiptarët dhe Kroacia.

E më pas me radhës Gjeorgjia në 1/8-t, Gjermania në çerekfinale, Franca në gjysmëfinale. Dhe natyrisht Anglia në finalen e madhe të Berlinit. 7 fitore në 7 ndeshje, 15 gola të realizuar, 4 të pësuar, vetëm një herë në disavantazh me Gjeorgjinë. Së cilës i shënuan 4 gola më pas. Numrat flasin për De la Fuenten, Rodrin, Lamine Yamal, Nico Williams, Moratën, Carvajal, por jo vetëm. Dhe për një grup që diti të bëjë të mos ndihet mungesa e dikujt si Pedri. Është e qartë se në sytë e të gjithëve mbetet talenti i jashtëzakonshëm i skuadrës La Roja. Me një moshe mesatare shumë të ulët dhe që ka liderë në dhomat e zhveshjes. Një përzierje që trajneri përzgjodhi duke i integruar me mjeshtëri. Duke u rritur e përmirësuar me kalimin e kohës. Nuk duhet harruar pastaj që De la Feunte është një specialist i vërtetë i finaleve. 63-vjeçari kishte fituar Euro U19 në 2015, pastaj Euro U21 në 2019 dhe tani dhe Euro 2024. Duke dëshmuar një aftësi të pashoqe sot për sot në xhiron e ekipeve kombëtare. Idetë e trajnerit spanjoll janë të qarta dhe të dukshme. Ai ka arkivuar “tiki-takan” e pafundme, me të cilën Spanja kishte siguruar trofetë e saj.

Iberikët kanë më shumë gatishmëri për të alternuar zotërimin me nisjet e shpejta dhe të papritura në sulm. Mbi të gjitha me një uri të frikshme dhe gjithmonë gati për të sakrifikuar. Pa harruar dhe veprimet individuale që t’i thjeshton qëllimet kur ke lojtarë si Yamal, Nico Williams dhe Dani Olmo. Presingu i lartë dhe agresiviteti ishin aftësitë që vunë në vështirësi të gjithë kundërshtarët, jo vetëm anglezët. Mbi të gjitha për Kombëtaret e tjera, problemi është se ky cikël duket se vetëm sapo ka nisur. Duke marrë në konsideratë cilësitë teknike të lojtarëve, por edhe personalitetin që kanë treguar. Pavarësisht moshës mesatare shumë të ulët. Tani për tani, të paktën mes kombëtareve të Europës, është e pamundur të mos cilësosh Spanjën si favorite për në Botërorin e ardhshëm. Gjithsesi për Kupën e Botës 2026 do të ketë kohë. Tani për Spanjën është momenti për të festuar këtë Europian. Të merituar për atë që prodhoi plot klas, bukuri dhe spektakël në stadiumet gjermane.

sfidanti.al