“Sportmediaset” akuzon Inzagin për Kristjan Asllanin!

Ishte në fushë dhe u paraqit mjaft mirë. E tillë loja e Kristjan Asllanit për Interin në fushën e Salernitanës në Serinë A, veçse as kjo nuk e bindi trajnerin Simone Inzagi që ta linte në fushë deri në fund. Pikërisht zëvendësimi që Inzagi i bëri shqiptarit pas 65 minutave, shoqëruar edhe barazimin që Salernitana arriti në sekondat e fundit, bëri që të ketë kritika për teknikun. “Sportmediaset”, një nga zërat më të njohur gazetareskë në Itali, thekson se Inzagi ka fajet e tij për rezultatet e Interit dhe për trajtimin e Asllanit. “Përse vetëm 65 minuta për Asllanin, për t’i bërë vend Brozoviçit më të keq të sezoneve të fundit? – pyet media milaneze, – Edhe Galiardini kontribuon në tërheqjen e ekipit, nga frika e një barazimi”.

Mesfushori kuqezi është aktivizuar në 14 nga 29 ndeshjet në Serinë A këtë edicion, veçse për vetëm rreth 360 minuta, që do të thotë shumë pak. Ai ka luajtur ndeshje të plotë vetëm në Kupën e Italisë ndaj Parmës, ku shërbeu edhe asistin e golit të Lautaro Martinezit, dhe ku ishte në fushë 120 minuta. Po ashtu, pati mundësi 77 minuta ndaj Romës gjithashtu në “San Siro”, ndërsa në të gjitha ndeshjet e tjera ka pasur rol tepër të vogël. Asllani cilësohet si një ardhme e Interit dhe mediat italiane e kanë kritikuar shpesh Inzagin për të, ashtu si edhe tifozët, madje kështu kanë bërë edhe drejtuesit zikaltër.

Sfidanti.al