Spanja si Bashkimi Sovjetik, 10 herë në gjysmëfinale të Eurobasketit!

Është i vetmi ekip kombëtar që ka suksese të ngjashme, por jo plotësisht. Spanja mbërriti për të 10-ën herë radhazi në gjysmëfinalen e kampionatit europian të basketbollit për meshkuj, sukses që lihet prapa vetëm nga “Zbornaja Komanda”, ish-ekipi përfaqësues i Bashkimit Sovjetik. Nën udhëheqjen e dyshes Mark e Pau Gasol kampionët e Europës në fuqi triumfuan ndaj Gjermanisë 84-72 duke kaluar pengesën çerekfinale. Mark Gasol shënoi 28 pikë, ndërsa ishte i përsosur në periodën e tretë (3-3 për dy pikë, 3-4 për tri pikë, 3-3 gjuajtjet e lira, 4 topa në tabela, 2 asistë). Pau shënoi 16 pikë dhe organizoi lojën spanjolle, duke shërbyer edhe asiste dhe duke kapur topa në tabela.

Spanjollët do të ndeshen në gjysmëfinale me Slloveninë dhe do të jenë favoritë, edhe pse ballkanasit e vegjël kanë qenë një mrekulli për t’u ndjekur deri tani. Skuadra e trajnerit italan Skariolo është 3 herë kampione e Europës, madje 3 në 4 edicionet e fundit dhe do të kërkojë titullin e katërt. Me kaq tituj dhe me 10 gjysmëfinale rresht, iberikët janë edhe përpara ish-Jugosllavisë (të paktën në statistikën e dytë).

Përsa i përket titujve, jugosllavët janë më lart, pasi fituan 5 të tillë kur ishin të bashkuar deri në 1991, si dhe 3 tituj të tjerë kur ishin Serbia dhe Mali i Zi. Rekordin në kampionatet europianë e ka Bashkimi Sovjetik, me 21 pjesëmarrje, 14 tituj kampion dhe 19 gjysmëfinale radhazi, si dhe me 21 medalje, pra duke qenë në podium në çdo pjesëmarrje. Nuk mund të pritej ndryshe nga një ekip që ka pasur yje si Anatoli Konjev, Viktor Zubkov, Sergej Bjellov, Arvidas Sabonis apo Sharunas Kurtinaitis. Pau Gasol, basketbollisti më i mirë i viteve të fundit në Europë, shpreson t’u afrohet sa më shumë.

Sfidanti.al