Festa si lider e Hamiltonit, nga Mercedesi AMG, te jeta e natës me yllin e muzikës!

Ljuis Hamilton është kryesues i Botërorit të Formula 1 (edhe pse me vetëm 3 pikë mbi Seb Fetelin), dhe anglezi zgjodhi mënyrën e tij për ta festuar. E para ishte një marrëeshje me Mercedesin, për të cilin piloton në F1, ndërsa e dyta një zgjedhje zemre. Piloti 32-vjeçar prezantoi përpara publikut makinën Mercedes AMG, model i Formula 1, por e krijuar për t’u drejtuar në rrugët qytetëse dhe ndërqytetëse. Kompania gjermane nuk kishte ku të gjente imazh më të mirë. “Kjo makinë arrin deri 350 km në orë shpejtësi, – tha Hamiltoni, – kushton gati 2.7 milionë euro, por kjo kërkon një shofer shumë të kujdesshëm”. Ky Mercedes ka 1 000 kuaj fuqi, dhe arrin në 200 km në orë në më pak se 6 sekonda.

Gjithsesi, ky nuk ishte spektakli i vetëm i Ljuisit. Në mbrëmje, në Nju Jork, ai u fotografua duke dalë nga një klub nate në krah të këngëtares Xhastin Skaj. Nuk janë dhënë shumë hollësi për një lidhje të mundshme të tij me 22-vjeçaren, por duket se anglezi ka një dobësi për femrat e muzikës, pasi ka qenë i lidhur me Nikolë Sherzingerin dhe besohet edhe me Rita Orën.

Sfidanti.al