“Skuadra e Ëndrrave” është Juventusi, fiton Kupën ndaj Lacios

Kurrë ndonjë skuadër në Itali nuk ia kishte dalë të fitonte tri herë radhazi Kupën e vendit. Asnjë ekip nuk ka 12 trofe të tillë, si Juventusi, që po bëhet gjithnjë e më shumë një “Skuadër Ëndërr”. Njëmbëdhjetë vjet pas “Kalçopolit”, “Zonja e Vjetër” është kthyer të dominojë si asnjëherë më parë. Golat e Dani Alveshit dhe Bonuçit në pjesën e parë i dhanë Kupën brenda në stadiumin “Olimpiko” ndaj Lacios vendase, në një finale “me një kalim”.

Përveç shtyllës së goditur në fillim nga Keita, skuadra e Simone Inzagit, por edhe e Thoma Strakoshës dhe Igli Tares, nuk mundi të bënte ndonjë gjë më shumë. Në të kundërt, mund të ishte mundur shumë më thellë, por për fat në portë ishte Strakosha që bëri pritje të mëdha. Dani Alvesh dhe Aleks Sandro ishin lojtarët më të mirë në fushë për një Juventus që pati mungesa, por që tregoi se rezervat janë po aq të fortë sa titullarët.

Sezoni i kupës së tretë radhazi mund të bëhet i jashtëzakonshëm, pasi Seria A është thuajse e fituar (hipotekohet duke mundur Krotonen këtë fundjavë), ndërsa në 3 qershor është prova më e vështirë dhe e fundit, finalja e Championsit ndaj Realit.

Sfidanti.al