Skënderbeu nuk pranon të humbasë, kualifikim i madh në Ligën e Europës

Skënderbeu arriti sonte një kualifikim të shkëlqyer dhe plotësisht të merituar për në plej ofin e Ligës së Europës, duke eleminuar Mladën nga Çekia, pas gjuajtjes së penalltive. Korçarëve iu deshën 120 minuta si dhe gjuajtjet e 11-metërshave për të arritur suksesin e madh, ndihmuar nga mrekullitë e portierit Shehi, që priti penalltinë vendimtare.

Skënderbeu luajti shumë mirë, pavarësisht se pësoi gol shpejt. Mlada goditi që në minutën e 18-të duke kaluar në avantazh me anë të rrjetës së realizuar nga Janosh, por korçarët nuk u dorëzuan. Skuadra e trajnerit Ilir Daja ushtroi presion dhe përmbysi shifrat në pjesën e dytë.

Fillimisht, Lilaj ekzekutoi saktë një 11-metërsh në minutën e 55-të, ndërsa goli i dytë erdhi shtatë minuta para fundit shënuar nga sulmuesi Plaku. Në kohën shtesë, Skënderbeu luajti më mirë, por nuk mundi të shënonte, ndaj edhe gjithçka u zgjidh me anë të penalltive.

Sfidanti.al