Skënderbeu jo çudi, por profesionizëm; Ka ndodhur edhe më parë!

Kur qeveria shqiptare vendosi të lejonte Partizanin të luante me Oransodën e Kantusë në Kupën e Kampionëve të basketbollit të meshkujve në vitin thuajse të harruar 1968, shumëkush parashikoi një dërrmim të të kuqve. Nja dy vjet më parë, shefi i klubit, Besim Fagu, mori veç djalin e tij, Agim Fagun, dhe i tha se duheshin shtrënguar dhëmbët për të mos rënë nga kategoria. “Lojtarët e rretheve do të largohen, mund t’ia dalim”, – e pyeti babai të birin.

“Babë, unë nuk të premtoj dot titullin kampion, por sa për kategorinë, kjo nuk diskutohet”, – tha Fagu i shquar. Ashtu edhe ndodhi, dhe me kapitenin 21-vjeçar Agim Fagu, Partizani u ndesh në Kupën e Kampionëve me një nga tre skuadrat më të forta të Europës. Ajo që ndodhi dihet, Partizani barazoi në Tiranë 73-73 dhe Fagu shënoi 48 pikë, në epokën kur nuk kishte gjuajtje tripikëshe.

Kur Dinamo e Vangjel Kojës shkonte në finalet e Kupës së Kampionëve në volejboll për meshkuj në 1972, kur Partizani i Andon Konës eleminonte kampionen e Italisë, Ruini të Firences në 1974 po në Kupën e Kampionëve në volejboll për meshkuj, kur vajzat e Dinamosë Kreshnik Tartarit shkonin nëpër finalet e kupave europiane, siç shkonin në shtëpitë e tyre (1979, 1987, 1989), sërish askush nuk besonte atëherë se kjo mund të ndodhte.

Ama, ndodhte, dhe me meritë të plotë, ashtu si qitësit e qitëset shqiptare shpalleshin kampionë e kampione të Europës, nënkampione të botës (kampionë Ballkani ishte “bukë e djathë), ndërsa Tirana eleminonte Dinamon e Bukureshtit dhe Flamurtari eleminonte Partizanin e Beogradit apo thyente e barazonte me Barcelonën.

Sot jemi tek Skënderbeu, dhe tek habia e madhe e barazimit në fushën e lavdishme të Dinamos së Zagrebit. Nuk ka ndonjë çudi të madhe, të nderuar bashkëkombas që keni harruar të shkuarën tuaj. Skënderbeu po ia del, ashtu si para dy vitesh, thjesht dhe vetëm sepse ka respektuar punën serioze, profesionalizmin. Ashtu siç bënin Agim Fagu, Dashamir Fagu, Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Elisabeta Karabolli, Diana Mata, Emanuela Dingu, Agustin Kola, Arben Minga, Sokol Kushta apo Vasil Ruci. Shpresojmë që “kjo lule e vetmuar” të ketë shoqe, në mënyrë që të rikthehet “pranvera”.

Sfidanti.al