Një humbje dërrmuese si kurrë më parë. Shkëndija pësoi disfatën më të rëndë europiane, dhe ndoshta pikërisht ashtu siç pritej! Gjashtë gola në rrjetën e saj dhe asnjë i shënuar, ishte përfundimi në “San Siron” e lavdishëm përballë Milanit të madh. Pas shifrave 0-6 sikur nuk mund të përmenden më tre turret e kaluar në Ligën e Europës nga tetovarët, dhe as fitorja bindëse në ligë ndaj Vardarit, kampion të Maqedonisë.
Le të mos nxitohemi. Shkëndija e Tetovës, hiq Milanin, ka qenë e shkëlqyer. Skuadra e një qyteti të vogël, të një shteti në mes të tensioneve ndëretnike dhe varfërisë, ajo u bë krenaria e shqiptarëve të Maqedonisë, FYROM-it. Veçse, kur del në këtë nivel të Europës, kur ke përballë një gjigand si Milani, dhe kur provon diçka që nuk e ke bërë kurrë, vështirë t’ia dalësh.
Përvoja e munguar “vret” çdo ekip, jo vetëm Shkëndinë me pak financa për t’u përballur me Milanin. Ja shikoni Vardarin, që pas turpërimit në Tetovë, mposhti jo më pak, por vetë Fenerbahçen e fuqishme të Stambollit 2-0. Vardari është klub me histori, që ka luajtur jetë e mot në ligën federale jugosllave, dhe që Europën e ka si shtëpinë e saj. Do të duhen disa vjet që Shkëndija ta largojë kompleksin e të paditurit.
Sfidanti.al