Mançester Siti dhe Liverpuli luajnë javën e fundit të Premier Ligës, për të vendosur kampionatin, në një nga garat për titull më të forta në historinë e Premier Ligës. Formacioni i Guardiolës kryeson me 1 pikë më shumë sesa ai i Klopit, dhe luan në fushën e Brajtonit, kurse rivalët presin Uolvesin. Një duel i ngjashëm me atë të vitit 2012, kur pikërisht Mançester Siti i Roberto Mançinit fitoi titullin në rrethana dramatike, në garë ndaj Mançester Junajtidit të Sër Aleks Fergusonit.
Gjithsesi, nëse do të pyesësh në Angli, atje do të të tregojnë me gisht një datë tjetër, 26 majin e vitit 1989. Liverpuli dhe Arsenali ishin rivalët në javën e fundit, dhe u ndeshën në një finale të vërtetë në “Anfild”. Londinezëve u duhej fitorja me dy gola, dhe e arritën me goditjen e fundit të ndeshjes, kur Majkëll Tomas shënoi në minutën e 91-të për 2-0. Më parë, sulmuesi Alan Smith kishte realizuar në minutën e 52-të.
Ky ishte titulli i parë i Arsenalit pas 18 vjetësh, dhe një nga dështimet e rralla të Liverpulit të trajnerit Keni Dalglish, kampion në fuqi, dhe që sapo kishte fituar Kupën e Anglisë në finalen ndaj Evertonit (3-2). Atmosfera ishte tepër emocionuese sepse vetëm dy muaj më parë kishte ndodhur tragjedia e “Hillsborout”, kur 96 tifozë të Liverpulit humbën jetën në stadium, në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Notingem Forestit. Ndeshja duhej luajtur një muaj më parë, por u shty pikërisht prej tragjedisë dhe u kthye në një finale të vërtetë.
Sfidanti.al