Nuk ka skuadër më të fortë sesa ajo bavareze në Bundesligë, këtë e kuptojë edhe rivalët më të afërt, por jo gjithnjë epërsia e saj jep fryte. Nuk ia doli të fitonte në fushën e Lajpcigut, ndonëse mbajti topin 65 për qind, dha gati dyfishin e pasimeve, si dhe pati 6 goditje nga këndi ndaj 1 të vendasve. Kjo bëri që festa për titull të mos bëhej këtë herë, por të shtyhet për në javën e fundit të Bundesligës, për shkak edhe se Dortmundi e fitoi ndeshjen e tij.
Borusia e vendit të dytë tani ka 73 pikë ndaj 75 të kampionëve në fuqi, por mund ta fitojë titullin vetëm nëse Bajerni mundet në 18 maj me Frankfurtin në “Alianc Arena” të Mynihut. Kjo ka pak gjasa që të ndodhë, megjithë respektin për Luka Joviçin me shokë. Dortmundi fitoi 3-2 në “Signal Iduna Park” ndaj Fortunës së Dyseldorfit, dhe golat për verdhezinjtë u shënuan nga Pulishiç, Delanei dhe Gëce, ndërsa për miqtë, Fink e Kovnacki. Vetë Dortmundi ka një ndeshje tepër të vështirë në javën e 34-ët, në fushën e Mynshengladbahut, pra, mesa duket, do të duhet të kënaqet me vendin e dytë.
Sfidanti.al