Simone Inzagi është i lumtur me Interin e tij fitues!

Në një stadium si “Artemio Franki” vështirë të jesh superior për 90 minuta. Interit mund t’i mjaftonin edhe 45, ashtu siç ndodhi dhe të merrte fitoren numër 1 500 në historinë e vet në Serinë A, por më e rëndësishmja t’i jepte një tjetër mesazh kampionatit. Pas fitores 6-1 ndaj Bolonjës ja ku erdhi një 3-1 kundër Fiorentinës, e arritur me përmbysje dhe me mentalitet kampionësh. “Për fat kam ardhur në një grup fitues, – thotë trajneri Simone Inzagi, – gjithashtu, për fat, edhe unë kisha fituar diçka përpara sesa të arrija këtu”. Inzagi kishte fituar kupë e superkupë me Lacion.

“Një fitore shumë e rëndësishme dhe e merituar ndaj një Fiorentine të fortë, – shton trajneri, – mund të kishim shënuar më shumë gola. Jam shumë i kënaqur me reagimin sidomos në një fushë të tillë. Ne kemi humbur 3 lojtarë bazë si Lukaku, Hakimi dhe Eriksen, por sërish jemi shumë të fortë. Nuk dua të flas për titullin, por duhet të luajmë ndeshje për ndeshje”. Interi ka 13 pikë në 5 ndeshje (4 fitore, 1 barazim), por Napoli mund të dalë sërish në krye nëse fiton ndeshjen e tij.

Sfidanti.al