Mesfushori i talentuar, Karamoko Dembele, bëri debutimin me Anglinë ditën e hënë, pavarësisht se ka luajtur më parë edhe me moshat e Skocisë. Futbollisti 13-vjeçar i Sëlltikut është aktivizuar me Skocinë në barazimin 2-2 ndaj Uellsit në muajin e kaluar, ndërsa të hënën u aktivizua te Anglia U-15, që arriti të fitojë 5-3 ndaj Turqisë. Pasi bëri debutimin me fanellën e “tre luanëve”, talenti nuk mundi ta fshehë lumturinë e tij dhe në mediat sociale.
Dembele, i cili ka lindur në Londër dhe që e cilësojnë si shumë të ngjashëm me Mesin për nga cilësitë, mund të aktivizohet me Skocinë, Anglinë dhe Bregun e Fildishtë nëse dëshiron, por zgjedhjen duhet ta bëjë para se të luajë te ndonjë përfaqësuese U-17. “Përvojë e bukur te Anglia, i lumtur që fituam 5-3 ndaj Turqisë dhe unë dhashë një asist dhe luajta mirë”, shkruan Dembele në “Instagram”. Pasi debutoi me Skocinë dhe shefi ekzekutiv i Federatës, Stjuard Regan, tha se do të bëjnë të mundurën për ta mbajtur, Federata Angleze e Futbollit e grumbulloi menjëherë në “St. George’s Park”.