Shumëkush nuk e do, por Alvesh bërë atë që nuk e ka bërë askush tjetër!

Dani Alvesh është një futbollist, të cilin ka shumë tifozë që nuk e duan ose nuk e respektojnë, për shkak të deklaratave të pamenduara mirë që ai jep, herë pas here, por, kur është fjala për potencialin e tij futbollistik, atëherë, puna ndryshon dhe pakkush mund t’i gjejë atij ndonjë defekt.

Ky mbrojtës i djathtë brazilian ka triumfuar në të gjithë ekipet, me të cilët ka luajtur, deri tani, në karrierën e tij dhe, që nga mbrëmja e kaluar, ai është bërë futbollisti më i suksesshëm në historinë e futbollit. PSZH-ja fitoi Kupën e Francës, duke mundur 3-0 Monakon, dhe, kështu, Dani Alvesh u bë lojtari i parë që ka fituar 36 trofe në historinë e futbollit.

Deri tani, Alvesh ka qenë i barabartë me Rajan Gigsin dhe Keni Dallgllishin me nga 35 trofe, por, duke fituar Kupën e Francës, ai e shënoi me gërma të mëdha emrin e tij në antologjinë e futbollit botëror. Sa për ilustrim, Dani Alvesh 63 për qind të trofeve të tij i ka fituar në përbërje të Barcelonës ose, më saktë, me gjigantin katalonjas ai ka fituar 24 trofe. Gjatë tetë sezoneve që ai ka luajtur në “Kamp Nou”, Dani Alvesh gjashtë herë ka fituar La Ligën spanjolle, katër herë Kupën e Mbretit, pesë herë Superkupën e Spanjës, tri herë Ligën e Kampioneve, tri herë Superkupën e Evropës dhe tri herë kampionatin botëror të klubeve, kurse 12 trofetë e tjerë ai i ka fituar me Bahian, Seviljen, Juventusin dhe, tani, me PSZH-në.

Sfidanti.al