Shqiptarët jashtë Ligës së Europës, mbetet vetëm Ansi Agolli

Ishte mbrëmje negative për futbollistët shqiptarë në Ligën e Europës. Ia doli të shkojë në fazën e grupeve vetëm Karabaku, ku luan kapiteni i kombëtares shqiptare, Ansi Agolli. Azerët fituan 3-0 ndeshjen e dytë ndaj Sherifit të Tiraspolit, duke kaluar me shifrat e përgjithshme 3-1, veçse Agolli ishte vetëm në stol.

Eleminohet Shkëndija e Tetovës, e mundur sërish nga Rozenborgu, këtë herë 2-0 në Shkup (1-5 rezultati i përgjithshëm). Tetovarët u ndaluan nga portieri mik, ndërsa golat për norvegjezët u shënuan nga Hovland e Reginiusen.

Taulant Xhaka dhe Albian Ajeti po ashtu mbetën pa fazën e grupeve, pasi Bazeli u eleminua çuditërisht pa arritur deri aty. Zviceranët u mposhtën nga Apolloni i Limasolit, me shifrat 0-1, ndërsa kishin fituar 3-2 në fushën e tyre. Ajeti hyri në lojë në pjesën e dytë, ndërsa Xhaka mbeti në stol, ende jo 100 për qind në formë pas dëmtimit.

Në duelet e tjerë, sukses i Olimpiakosit të Pireut ndaj një ekipi të Premier Ligës, si Bërnli, por që ishte pa përvojë. Barazim 1-1 në Angli, pas fitores greke 3-1 në takimin e parë. Eleminohet edhe Atalanta pas barazimit 0-0 në Danimarkë ndaj FC Kopenhagenit, dhe pas penalltive.

Kalojnë në grupe dy skuadrat skoceze, Rejnxhërs (1-1 në Rusi me Ufën), dhe Sëlltiku (fitore 3-0 ndaj Suduvës), po ashtu Sevilja e Spanjës (3-0 me Olomoucin), Bordoja ndaj Gentit të Belgjikës, Lajpcigu kundër Zorias së Luhanskut, apo Beshiktashi ndaj Partizanit të Beogradit.

Sfidanti.al