Shqipëria vendos rekord dhe kap vendin e dytë përballë një rivali … fantazmë”!

Ishte një nga ato mbrëmje të rralla kur dolëm nga vetja. Tepër rrallë ka ndodhur që kombëtarja shqiptare të shënojë shumë gola në një ndeshje, e ndonëse kundërshtari ishte tepër i lehtë në letër, sërish është gjithnjë bukur kur fiton 5-0. Pas dy paraqitjeve me personalitet ndaj Polonisë e Hungarisë, ekipi i trajnerit Edi Reja dhuroi edhe një të tretë, ndonëse për 45 minuta radhazi u ngatërrua me këmbët e veta për të konkretizuar epërsinë absolute që pati.

Sulme pa fund, gjuajtje të shumta, goditje nga këndi e lojë me një portë, por vetëm një gol shënuar nga Rej Manaj. U desh që Reja t’u fliste lojtarëve në pushim që ata të qetësoheshin dhe që rrjetat të vinin radhazi. i shënuan Qazim Laçi, Armando Broja, kapiteni Elseid Hysaj dhe Myrto Uzuni, ndërsa Shqipëria e tregoi veten një ekip që nuk di të kënaqet lehtë, që luan 90 minuta, dhe madje edhe altruist, cilësoi që nuk është se na përket shumë. E tregoi qartë goli i pestë i Uzunit, i krijuar nga 19-vjeçari Broja që i dha mundësi shokut të repartit të realizonte rrjetën që po e kërkonte aq shumë. Kjo ishte edhe fitorja rekord e Shqipërisë në ndeshjet zyrtare.

Ndryshimet e mëdha në formacion treguan se skuadra ka shumë alternativa në çdo repart, gjë që premton për ndeshjet e ardhshme. Suksesi në sfidën eleminatore të Kupës së Botës dhe bëri të mundur që ekipi ynë të ngjitet në vendin e dytë në grup duke lënë pas Poloninë, që barazoi 1-1 me Anglinë në Varshavë. Kur duhen edhe 4 ndeshje, janë anglezët që kryesojnë me 16 pikë, shqiptarët kanë 12, polakët 11 e hungarezët 10, ndërsa vendi i dytë ka shanse për të shkuar në fazën finale.

Shqipëria: Strakosha, Mihaj, Kumbulla, Gjimshiti, Hysaj (Doka 81’), Bare, Laçi (Ramadani 71’), Trashi (Broja 46’), Bajrami (Roshi 46’), Uzuni (Çokaj 81’), Manaj. Tr. Reja.

Sfidanti.al