E dinim që mund ta bënim, e meritonim që të triumfonim, por gjithsesi e rëndësishme është që ia dolëm. Kombëtarja shqiptare arriti fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, dhe kryesorja ishte që e meritoi. Moldavia u mund 2-0 në “Arenën Air Albania” dhe me këtë u mor tripikëshi i parë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024. Golat e Jasir Asanit dhe Nedim Bajramit konkretizuan epërsinë absolute të kuqezinjve, sundim që ishte që nga minuta e parë deri tek e fundit, edhe pse rrjetat u shënuan pas pushimit. Rrallë herë kemi parë një kombëtare që të mbajë topin 70 për qind, qoftë edhe në ditët e saj më të mira, ndërsa klasi dukshëm mbi moldavët u duk nga 5 goditjet në kuadrat ndaj vetëm një të rivalit, dhe nga 5 goditje nga këndi në favor, e asnjë kundër.
Mos vallë ka nisur të duket dora e një trajneri të ri, por tepër energjik dhe ambicioz, që i përket shkollës sulmuese braziliane? Është ende shpejt për të dhënë përgjigje përfundimtare, por me atë që u pa në “Arenë” e ardhmja duhet parë me optimizëm. Me këtë fitore, Shqipëria u barazua me Poloninë me nga 3 pikë në vend të dytë në grup, ku e shkëputur është vetëm Çekia me 7 pikët e saj. Gjithsesi, edhe çekët u ndalën në barazim nga Moldavia të cilën ne e mundëm lehtë. Kjo do të thotë se janë të gjitha shpresat për kualifikim, edhe pse duhet menduar menjëherë për ndeshjen e radhës, të martën në fushën e Ishujve Faroe. Nëse gabojmë atje, kjo fitore do ta humbiste thuajse plotësisht shkëlqimin.
Sfidanti.al