Shqipëri rekordesh në Moldavi, por pas fitores vjen … eleminimi!

Pa dyshim ishte një nga ndeshjet më të mira të kombëtares. Jo vetëm se fitoi 4-0 në Moldavi, por së pari sepse luajti mjaft mirë, duke reaguar pas humbjes në Turqi, e duke treguar vazhdimësi në paraqitje. Kuptohet, ishim përballë një kundërshtari të “bërë copë” nga turqit, në këto eleminatore Europiani, dhe të mundur edhe nga Andorra, por gjithsesi, Shqipëria nuk është nga ato skuadra që shënon shpesh shumë gola.

Sokol Cikalleshi, Keidi Bare, Lorenc Trashi dhe Rej Manaj ishin autorët e golave, që të gjithë të merituar, qoftë ata që luajnë në Spanjë e Turqi, qoftë ai që luan për Partizanin në Superligë. Kombëtarja nuk kishte shënuar kurrë 3 gola në një pjesë loje, në një ndeshje zyrtare eleminatore, por ja që ndodhi edhe kjo.

Trajneri Edi Reja, që me shumë gjasë siguroi përfundimisht rinovimin (që, gjithsesi duhej ta kishte të sigurt), tregoi se një profesionist mbetet i tillë edhe në moshën e shtyrë dhe të respektueshme 74-vjeçare. Vështirë të veçosh ndonjë nga lojtarët, pasi që të gjithë ishin shumë mirë. Strakosha nuk është se u testua shumë, Ismajli, Dermaku, Gjimshiti e Veseli ishin të pagabueshëm në mbrojtje, Bare, Trashi, Abrashi e Gjasula të pambërritshëm në mesfushë, ndërsa Cikalleshi e Manaj si gjithnjë “raketa” në sulm. Spikati Manaj që tregoi një klas që do t’i bëjë opunë kombëtares në të ardhmen.

Gjithsesi, suksesi i madh bëri punë vetëm për të pasur shpresë për vendin e tretë dhe për eleminatoret e Botërorit, pasi barazimi i Francës me Turqinë bëri që Shqipëria të eleminohej matematikisht. Kur kanë mbetur edhe 6 pikë në lojë, dy vendet e para janë 7 pikë larg nesh.

Sfidanti.al