Sekreti që s’mban dot  Pujoli : Mua nuk më linin që ta prekja Mesin!

Karlos Pujoli dhe Lionel Mesi kanë pozuar bashkërisht për numrin më të fundit të “Mundo Deportivos”, ku, krahas fotos së përbashkët, ndodhet edhe një intervistë e ish-kapitenit të Barcelonës. Një pjesë e konsiderueshme e saj i kushtohet Lionel Mesit, një futbollist që, sipas Pujolit, është ndryshe nga të gjithë të tjerët jo vetëm në fushë, por edhe në stërvitje. Ish-futbollisti stoper, midis të tjerave, zbulon edhe një përvojë jo fort të këndshme të përjetuar nga ai gjatë seancve stërvitore me Leon, kundër të cilit ai e kishte rreptësisht të ndaluar që të ndërhynte fort, sidomos me këmbë të zgjatur, sikurse e kishte zakon Pujoli. Dhe më e bukura ishte se ai, ndërkohë, duhet ta markonte Mesin që të mos bënte gola!

“Kur Leo është në fushë, ai është ndryshe nga të gjithë të tjerët, do që të fitojë me çdo kusht dhe bën gjithçka që të shënojë gol. Repertori i lëvizjeve të tij është i madh, por unë po flas për ato gjëra që i kam provuar në lëkurën time. Mbaj mend fillimin e kohës së Pep Guardiolës, nga i cili, në një rast, m’u ngarkua detyra që ta markoja Mesin një për një, me të vërtetë, një detyrë mjaft e komplikuar. Pepi më tha se mua as që duhet të më shkonte nëpër mend që ta godisja sado pak Leon, kurse unë u përgjigja se, në këtë rast, më mirë do të ishte që ta linim fare stërvitjen! U mundova ta mbaja Mesin në mënyrën që më tregoi Guardiola, por ishte e pamundur”, zbulon Karlos Pujoli.

Sfidanti.al