Çfarë po ndodh kështu? Sebastian Fetel me siguri ndihet si Mario Baloteli dhe është gati të thotë “përse më ndodh vetëm mua”. Dy javë më parë, pati përplasjen e tmerrshme me Raikonenin dhe Verstapenin në fillim të Çmimit të Madh të Singaporit, duke humbur 25 pikë nga kryesuesi i Botërorit të Formula 1, Ljuis Hamilton. Pastaj erdhën provat zyrtare në Malajzi, ku ndërroi motorin (në garë ishte me motorin e pestë) dhe u nis nga vendi i fundit. Fitoi 16 vende dhe doli i katërti (gomat nuk e lejuan për më shumë), duke zvogëluar disi dëmet me kryesuesin anglez, që tani është 34 pikë përpara. Gjithsesi, nuk ishte e thënë që Fetel të binte rehat.
Me të përfunduar gara në Malajzi, ndërsa po bënte xhiron për të shkuar në vendin e parkimit të makinës së tij Ferrari, gjermani u godit nga Lens Stroll. Fetel u detyrua të kthehej tek skuadra hipur mbi makinën e Paskal Verlainit, por shqetësimi nuk ishte sesi do të mbërrinte atje, por çfarë do të ndodhë në garën e ardhshme. Mundet që Ferrari i Fetelit të ketë nevojë për ndërrimin e paketës së këmbimit të marsheve (kambios) dhe nëse ndodh kjo, ai do të dënohet me -5 vende në Çmimin e Madh të Japonisë.
Sfidanti.al