S’duhen emrat, por muskujt, Reja ndryshim radikal formacioni ndaj Islandës!

Nuk duhet lënë pas vetëm ajo që pësuam pak ditë më parë. Franca tashmë kaloi, bashkë me humbjen 1-4, dhe në radhë është Islanda, një ekip që e kemi më shumë detyrim ta mundim, por që na theu në duelin e parë në Rejkjavik. Ja kur vjen momenti i së vërtetës, dhe trajneri i kombëtares Edi Reja nuk ngurron të pohojë.

“Kjo do të jetë ndeshja jonë më vendimtare, – deklaroi hapur ai, – Kjo do të tregojë nëse do ta vazhdojmë ëndrrën tonë europiane, apo jo. Normalisht, në rast se nuk fitojmë kjo gjë do na heqë shumë mundësi për t’u kualifikaur. Kemi tri ndeshje në shtëpi, duhet të shfrytëzojmë faktorin fushë, do të na japë një shtysë shumë të fortë për kualifikimin. Kalendari na favorizon për të bërë më të mirën. Do të kërkojmë të bëjmë më të mirën jashtë fushë. Nesër do të japim 200% për të marrë fitoren”.

Pas lodhjes ndaj Francës, Reja e ka të qartë se çfarë do të bëjë. “Formacioni 3-5-2 që kemi ne, do të më bëjë të ndryshoj disa lojtarë, – sqaroi trajneri, – Dermaku do të jetë titullar në vend të Mavrajt. Do mundohemi që të jemi më ofensivë. Do të bëjmë vlerësimin për formacionin përfundimtar, vetëm para ndeshjes. Kush rikuperon më shumë dhe kush më pak do të duket në stërvitje dhe do të vendosim.

Në stol, edhe kapiteni Mërgim Mavraj, për të cilin pati kritika. “Është një zgjedhje teknike nga ana ime, – tha Reja, – Do të bëj një vlerësim të të gjithë grupit. Përsa i përket Mërgimit është shumë i zoti në ajër, garanton një mbulim të mirë në goditje këndi, por ne kemi edhe lojtarë të tjerë. Në e vlerësojmë Islandën në bazë të ndeshjes së parë, ku nuk e toleruam. Duhet të bëjmë një vlerësim të grupit, për të luajtur më të mirët, ata që janë në formë. Duhet patjetër që ata që do të jenë në fushë, të jenë 100% të motivuar”.

Çfarë mendimi ka trajneri i Shqipërisë, për Islandën?  “Kundërshtari është brenda mundësive tona, është një skuadër me vlera të rëndësishme, por jemi në kushte që të përgjigjemi, – pohoi ai, – Nëse lojtarët bëjnë detyrën dhe janë në 100%, ne do të kemi mundësinë ta mundim Islandën. Jam shumë i bindur që mund të bëjmë një ndeshje të madhe”.

Sfidanti.al