Nëse do të kishte përfunduar 5-0, çdo diskutim do të kishte qenë i mbyllur, por me 5-2, shpresa mbetet. Liverpuli fitoi me meritë gjysmëfinalen e parë të Championsit ndaj Romës, dhe Mohamed Salah ishte sërish në rolin e tij “mbretëror”, veçse një 10 minutësh krenarie i la italianët në pretendime për të shkuar në finale.
Në “Anfild” u luajt një ndeshje, nga ato për të cilat futbollit do të ndihet gjithmonë krenar, me të dyja skuadrat që nuk hoqën dorë për asnjë çast nga sulmi, e nga dëshira për të krijuar më shumë sesa për të prishur, dhe përfundimi ishte me 7 gola, dy goditje shtylle, dy pretendime për penallti, gabime të gjyqtarëve në favor dhe dëm të secilës palë, me raste të shumtë dhe me kilometra të vrapuar në fushë.
Mohamed Salah shënoi dy gola dhe shërbeu dy asiste për vendasit, Roberto Firmino po ashtu realizoi dy herë, ndërsa Sadio Mane, fajtor për shumë raste të humbura, e gjeti më në fund edhe ai rrugën e rrjetës. Kjo, deri në minutën e 69-të, por pastaj Jurgen Klopi vendosi të nxirrte Salahun nga fusha dhe “filmi” ndryshoi.
Roma mori zemër, i bëri thirrje krenarisë së “qytetit të përjetshëm”, nxiturt fort edhe nga këngët e mijëra tifozëve romanë në “Anfild”, pavarësisht shifrave 0-5. Ia doli jo vetëm të shpëtonte fytyrën, por edhe për diçka më shumë, duke qenë në të njëjtat pozita si ndaj Barcelonës, pas sfidës së parë çerekfinale.
Edin Xheko dhe Diego Peroti me penallti ishin autorët e golave, veçse detyra këtë herë në “Olimpiko” pritet shumë më e vështirë. Liverpuli i Klopit është shpesh herë më i rrezikshëm në ndeshjet jashtë fushe sesa brenda, mjafton të kujtojmë se çfarë bëri në stadiumin e Portos dhe atë të Sitit. Gjithsesi, ndeshja e dytë nuk do të jetë kaq e pavlefshme.
Sfidanti.al