Nëse do t’i bëhej një sondazh publikut se çfarë mendon për punën e atyre që drejtojnë sportin shqiptar, përfundimi do të ishte thuajse si zgjedhjet e kohës së sistemit të kaluar, me 99.98 për qind pro një përgjigjeje të caktuar. Që do të thotë se përgjigjja do të ishte “drejtuesit bëjnë pallë” për të mos thënë se çfarë bëjnë me paratë apo sesi e përdorin peshoren e drejtësisë. Në këtë vend, ne bëjmë reklamë me medaljet e sportistëve tanë në Europë apo në botë.
Këta sportistë, që padyshim duhen quajtur heronj, bëjnë sakrifica të mëdha sidomos për kushtet në të cilat punojnë. Luiza Gega, që doli kampione e Mesdheut të premten në mbrëmje, nuk e pati të shtunën pushim, përkundrazi. Trajneri i saj, Taulant Stërmasi, deklaroi në telefon se atletja bëri të shtunën një vrapim 18 km! Po të shtunën pasdite ishte udhëtimi për në Shqipëri, ku u mbërrit rreth orës 12 të natës, apo edhe më vonë. Sot, të dielën, Luiza dhe trajneri i saj u nisën drejt Korçës për të vazhduar stërvitjen në pistën e vetme të saktë me tartan në Shqipëri, dhe kjo sapo sportistes i doli gjumi. Kjo është sakrifica e një kampioneje, e cila normalisht nuk duhet të pranojë të dalë në fotografi apo përpara kamerave me ministra, kryeministra, presidentë e drejtues sporti (me ndonjë përjashtim), të cilët djersën e kanë nga gjumi i vapës, kur asaj i del shpirti për të marrë medaljen. Feudalizmi nuk ka qenë më keq se kaq!
Sfidanti.al