Nëse e mbuluam me lavdërime kombëtaren pas fitores 2-0 në Bjellorusi, le të mendohemi më mirë herë tjetër, që të mos e shajmë e nëpërkëmbim pas një humbjeje. Gjithsesi, ajo së cilës ia kishim frikën ndodhi dhe Shqipëria u mund 0-1 në “Arenën Air Albania” në kryeqytet ndaj Lituanisë, në duelin e Ligës së Kombeve. Një disfatë logjike, për mënyrën sesi luajti skuadra jonë, dhe me gjasë më shumë për shkaqe psikologjike dhe të karakterit sesa të përgatitjes fizike.
Edhe pse lituanezët ishin më lart fizikisht, kombëtarja u duk se ishte e lodhur “nga mendja” dhe se priste që ta kishte fituar sfidën që kur gjyqtari vërshëlleu për fillimin. Nëse baltikasit arrinin të kombinonin e të vraponin pa top, futbollistët kuqezinj ishin statikë dhe prisnin që të shkonte topi tek ata. Në këtë mënyrë, gjatë gjithë pjesës së parë nuk pati asjnë aksion të befasishëm, dhe vetëm ndonjë gjuajtje e disa goditje nga këndi. Lituania, në të kundërt, u tregua e rrezikshme duke çarë tri herë në qendër të mbrojtjes sonë.
Po kjo tablo edhe pas pushimit, ndonëse hyrja e Uzunit i dha më shumë frymëmarrje lojës. Gjithsesi, mjaftoi gabimi i Gjasulës që miqtë të shënonin dhe të mbaheshin mirë pas atij goli. Me një Shqipëri të papërgatitur psikologjikisht dhe një Lituani të thjeshtë e të vendosur, momente të tilla do të vendosnin ndeshjen dhe ashtu ndodhi. Deri në fund rrezikuam vetëm me anë të Manajt në goditje dënimi, dhe me nja dy aksione të krahut të majtë të nisura nga Uzuni, por edhe mund të pësonim. Fjalët pas ndeshjes ishin që “herën tjetër do të jemi më mirë”, por më kot që drejtuesit u kujtuan Andorrën, sepse Andorra u përsërit.
Sfidanti.al