Sa e rrezikon Man. Junajtidin, dëshira e Januzajt për hakmarrje?!

Vlerësohej si talent i veçantë dhe ishte vërtet i mirë. Në “Old Traford” atë e afroi një mjeshtër i Sër Aleks Ferguson, dhe e hodhi në fushë Dejvid Mojesi, por pastaj skocezi legjendar u largua dhe Luis Van Gali nuk dinte se çfarë të bënte me një “margaritar të ri” si Adnan Januzaj. Karriera e tij tek Mançester Junajtidi u shua pa u ndezur mirë, dhe mesfushori i lindur shqiptar dhe me pasaportë belge kaloi nëpër një “purgator” karriere.

Në moshën 26-vjeçare ai do të ketë rastin të jetë përballë ish-skuadrës së tij në Ligën e Europës, ndaj atij ekipi që e mori që kur ishte 16 vjeç. Përballja e së enjtes është Real Sociedad-Mançester Junajtid në orën 18:55 dhe mediat angleze nuk harruan të trokisnin në derën e shqiptarit. “Unë nuk kam çfarë t’i provoj ndokujt, pra as Mançester Junajtidit, – u shpreh ai, – unë i di cilësitë e mia. Gjithsesi, unë jam i lumtur që do të kem mundësi të takohem me njerëzit e klubit që dashuroj. Do të jem shumë i lumtur që do të kthehem në Mançester, edhe pse do të luaj për të fituar sepse jam në një skuadër tjetër”.

Tifozët e Junajtidit e kujtojnë debutimin e tij të shkëlqyer ndaj Sandërlendit, kur dy golat e shënuar nga Januzar i dhanë fitoren “djajve të kuq” që po humbisnin 1-2. Atë sezon ai ishte në fushë për 27 ndeshje, shënoi 4 gola, shërbeu 4 asistë dhe u vlerësua si një nga zbulimet e sezonit. Pastaj erdhi Van Gali. “Trajnerë si Fergi dhe Mojesi besuan tek unë, – tha ai, – por, pastaj erdhën të tjerë që deshën më shumë përvojë në ekip. Unë isha tepër i ri në atë kohë dhe nuk pata trajnerin e duhur për të më ndihmuar. Me Van Galin luajta shumë pak”.

Sfidanti.al