Federata e Futbollit e Rumanisë ka njoftuar se do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) kundër vendimit të UEFA-s për ndeshjen ndaj Kosovës që u ndërpre në minutat e kohës shtesë. Ndeshja e Ligës së Kombeve, e ndërprerë në fund për shkak të thirrjeve të tifozëve rumunë u vendos në tavolinë, ku Rumania mori tri pikë me një fitore me rezultat zyrtar 3-0. Rumania u gjobit nga UEFA për disa pika, duke marrë në total një dënim prej 128 mijë eurosh. Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës u dënua me 6 mijë euro. Rumania po ashtu u dënua edhe me një ndeshje pa shikues, të cilën do ta zhvillojë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
“Kosova ka shkelur principin më të rëndësishëm të futbollit që ndeshja duhet të vendoset në fushë. Dhe ata nuk u sanksionuan. Ndërsa ne morëm gjoba dhe sanksione që i konsiderojmë joproporcionale”, deklaroi presidenti i FRF-së, Razvan Burleanu.
Edhe Federata e Futbollit e Kosovës ka lajmëruar se do t’i drejtohet Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për vendimin e UEFA-s, që i dha rumunëve fitoren 3-0. FFK-ja ka konsideruar se rasti është betejë kundër racizmit dhe diskriminimit në të gjitha format.
sfidanti.al