Rrogë 300 000 euro, kartoni vlen 31 milionë, ja Bastoni i Interit!

Nuk është gjë e vogël kur një 20-vjeçar luan 9 nga 13 ndeshjet e fundit në Serinë A. Aq më tepër, kur është pjesë e një skuadre kaq të fortë dhe me konkurrencë si Interi. Djaloshi i ri italian mbërriti “në majë të gishtave” në “San Siro”, duke e ditur se nuk kishte aspak emër, dhe se duhej të provonte veten. Pranoi një rrogë qesharake (për Serinë A), 300 000 euro në vit, që do të thotë 25 000 euro në muaj, por drejtuesi Bepe Marota dhe trajneri Konte, nuk u gabuan. Vlerësimi i tyre për kartonin ishte tepër i lartë, 31 milionë euro në klauzolën e kontratës, diçka që pritet të rritet në përpjestim të drejtë me pagën.

Në 3 ndeshjet e fundit, Bastoni ishte titullar, diçka jo edhe aq e lehtë në skemën e Kontes me 3 mbrojtës (3-5-2). Për Bastonin u la në stol veterani Godin, i ardhur nga Atletiko e Madridit. “Ai përfaqëson të ardhmen tonë, – shprehet Konte, – ka personalitet dhe di të organizojë lojën që nga prapavija. Di të krijojë situata të favorshme për ne, thjesht duhet të dijë të jetë më i vendosur në mbrojtje”. Bastoni ishte për 9 vjet në Akademinë e Atalantës, ndërsa luajti për Parmën dhe Xhenoan, përpara sesa të merrej nga Interi.

Sfidanti.al