Vetëm njëri doli fitues, por të dy hynë në histori. Xhejms Harden dhe Trej Jang ishin basketbollistët e parë në të gjitha kohët që bënë diçka të tillë në NBA, që do të thotë secili arriti tripëll dabëll me të paktën 40 pikë. Kjo, në duelin Atlanta-Hjuston. Nga Hardeni pritej më shumë, për nivelet e tij të këtij sezoni, ndonëse edhe Jangu po bëhet gjithnjë e më i zoti.
I mbiquajtur “E tashmja” e NBA-së, Hardeni 30-vjeçar shënoi 41 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 10 asistë. Si gjithnjë, ai pati shumë gabime në gjuajtje, por aftësia e “Mjekrës” është që të provojë me intensitet të lartë deri në fund. Jang, nga ana tjetër, cilësohet e ardhmja pasi është vetëm 21 vjeç, dhe ndonëse shtatshkurtër, vetëm 1.88 metra, është tepër i zoti edhe në kampionatin më të fortë të botës. Basketbollisti i Atlantës shënoi 42 pikë, kapi 13 topa në tabela e shërbeu 10 asistë.
Gjysma e parë e ndeshjes ishte thellësisht në favor të Hjustonit, ndihmuar nga pikët e Hardenit. Pas pushimit, niveli i lartë i Jangut dhe gabimet e Hardënit, i dhanë shpresë Atlantës, por sërish miqtë fituan 122-115.
Sfidanti.al