Ronaldon nuk e do askush, por Ten Hagu ia ka hequr vizën në “Old Traford”!

Nuk i duhet uruar kujt e keqja, edhe nëse e ke armik, por me të vërtetë që një personazhi të futbollit si Kristiano Ronaldo duhet thënë se “po ia bën koka”. Superylli portugez, në vetëm pak javë, është rrëzuar “hundë e buzë” nga majat e lavdisë në greminat më të thella të turpërimit. Dëshira për të luajtur patjetër në Champions, madje si protagonist, kombinuar me rënien e formës fizike për shkak të moshës dhe me pretendimet e mëdha për rrogën, kanë qenë shkaqet e rrënimit të legjendës portugeze. Një lojtar pesë herë fitues i Topit të Artë dhe 5 herë fitues i Championsit rrezikon të mbetet pa ekip “për të qenë”. Nga Anglia njoftojnë se trajneri Ten Hag ia ka hequr vizën që pas katastrofës në Brentford (0-4), ndërsa vetë CR7 është bërë edhe më shumë problem duke i mbetur hatri me klubin që ia ka ulur rrogën me 25 për qind, ashtu si parashikohet (kështu thuhet) në kontratë, në rast moskualifikimi për në Champions.

Sfidanti.al