Ronaldo prezantohet: Unë, pensionist europian, jo në Kinë a Katar!

Jo më kot është pjesëtar i dyshes më të madhe të epokës, së bashku me Lionel Mesin. Kristiano Ronaldo doli përpara gazetarëve në Torino, dhe foli siç i takonte. “Nuk kam keqardhje që iki nga Reali, – theksoi ai, – Jam këtu sepse dua një sfidë të re. Lojtarët pak a shumë në moshën time shkojnë në Kinë. Për këtë arsye, jam i lumtur që Juventusi ma dha këtë mundësi”.

“Do të përpiqem të tregoj se jam ende në nivelin maksimal, – vazhdoi ai, – ju të gjithë i dini statistikat e mia. Jam ambicioz dhe nuk dua të jem në zonë qetësie. Pasi e bëra tek Man. Junajtidi dhe Reali, dua të lë shenjë edhe tek Juventusi. Nuk ka qenë kurrë e lehtë të fitohej Topi i Artë, por unë dua të jem më i miri. Ku i dihet, ndoshta ia dal përsëri nëse gjërat shkojnë siç duhet”.

Një futbollist i madh, Ronaldo nuk i shpëtoi dot vetëlavdeve, kur u shpreh se “jam i ndryshëm nga të tjerët që mendojnë se karriera duhet të mbarojë në këtë moshë, unë do të tregoj se jam ndryshe nga të tjerët”. Në të vërtetë, Ronaldo, vështirë se mund të tregojë arsyen se përse Sër Stenli Metjus luajti deri 50 vjeç, dhe përse yje si Ksavi apo Iniesta u larguan në moshë më të re.

Sfidanti.al