Ka pasur gjithnjë dyshe të mëdha, që kanë rivalizuar në distancë, apo kanë qenë në një skuadër. Pele apo Eusebio, Krujf apo Bekenbauer, Di Stefano apo Pushkash, Maradona apo Platini, Zidan apo Ronaldo, ndërsa sot kemi një dyshe ku është personifikuar edhe dueli për lojtarin më të mirë të botës, edhe ai për shënuesin më të mirë të botës. Më fort se kudo, ky duel duket në Champions.
Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo do ta vazhdojnë këtë mesjavë sfidën e tyre, ku portugezi kryeson (ende) me 95 gola duke qenë ky rekordi historik i kompeticionit (përfshi edhe Kupën e dikurshme të Kampionëve), por ku Mesi është afruar shumë këtë sezon, duke qenë në 94 rrjeta. Kaq shumë kanë “vrapuar” këta të dy saqë rivalët e mëdhenj të dikurshëm duken krejt të zakonshëm.
Raul Gonzales ka mbetur në 71 gola, Inzagi në 70, Shevçenko në 67, ndërsa Gerd Myler ka vetëm 35 gola, veçse më vetëm 35 ndeshje. “Bomberi i Kombit”, Myler, mund të mburret se askush nuk ka mesataren e tij (Mesi ka 94 gola në 113 ndeshje). Argjentinasi është më mirë se portugezi në listën e shënuesve në kampionatin spanjoll këtë vit me 27 rrjeta ndaj 19 të tij. Mesi dhe Ronaldo kanë dalë nga 3 herë golshënuesit më të mirë (vjet ishte Suarez), por Mesi duket se do të dalë për herë të katërt.
Sfidanti.al