“Na duhej një mbrëmje e tillë”. Këto ishin fjalët e trajnerit të kampionëve pas fitores 2-0 ndaj Veronës në Serinë A, dhe futbollistët e tij duket se ia dëgjuan porosinë. “Duhet të hyni në fushë sikur kampionati ynë fillon sot, – kishte thënë Andrea Pirlo para ndeshjes, – duhet më shumë forcë, më shumë frymëzim”. Këtë frymëzim “Zonja e Vjetër” e gjeti si gjithjnë te Kristiano Ronaldo që shënoi të dy golat në stadiumin “Alianc” të Torinos, si edhe tek Matijs De Ligt, mbrojtësi i ri holandez që u kthye nga dëmtimi. “La Gazeta delo Sport” i dha ish-kapitenit të Ajaksit notën 7, si ndër më të mirët në fushë.
Ronaldo, ndërkaq, u barazua me Ibrën me nga 8 gola në krye të renditjes së shënuesve të Serisë A këtë sezon, si dhe theu rekordin juventin me 8 gola në 5 ndeshje (3 i ka humbur për Kovidin), diçka që nuk kishte ndodhur që kur fitoret u bënë me vlerë 3-pikëshe, pra që nga viti 1994. Portugezi mbetet i uritur si gjithnjë, në formë fizike të paqortueshme, dhe pasi kaloi Pushkashin po i afrohet Peles në renditjen e shënuesve më të mirë të të gjitha kohëve. “E dominuam ndeshjen, – komentoi Pirlo, – është mirë kur ke një kampion si Ronaldo, por edhe lojtarë si De Ligt, Artur e të tjerë. Dibalën e presim për të qenë sulmues i dytë, sapo të kalojë problemet me shëndetin”. Juventusi ka 17 pikë duke qenë pranë kreut të Serisë A.
Sfidanti.al