Padyshim që nuk e ka pritur mirë, dhe natyrisht ia ka “tërhequr pak veshin” në distancë. Çfarë mund të bënte tjetër Jurgen Klopi kur mori vesh se sulmuesi i tij kryesor, Mohamed Salah, doli pozitiv për koronavirus pasi shkoi në dasmën e të vëllait në Kairo. “Kam biseduar me Salahun, – tha Klopi në konferencën për shtyp, – por, ajo që kemi folur është private, mes meje dhe atij. Natyrisht, dasma e vëllait ishte një ngjarje e veçantë për të. Për momentin, ai është pozitiv dhe nuk mund të bashkohet me ekipin, pasi të dalë negativ do të ndiqen procedurat”.
Liverpuli luan të dielën në mbrëmje ndaj Leisterit dhe mungesat janë të shumta, përfshi edhe Tiago Alkantarën, Van Dajkun, Gomezin, Aleksandër-Arnoldin, Hendersonin, por besohet se Fabinjo mund të kthehet. Duke u kthyer tek festat, Klopi i bëri një qortim indirekt Salahut duke thënë se gjatë verës ai vetë pati ftesë për të shkuar në një ditëlindje, por refuzoi në momentin e fundit sepse aty do të mblidheshin 50 vetë.
Sfidanti.al