Roma kthehet në finale pas 31 vjetësh me Murinjon dhe Kumbullën

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që futbollisti i kombëtares sonë pati një rol disi “periferik” këtë edicion në Europë, por gjithsesi ka mundësi që ta fitojë trofeun e parë të rëndësishëm në karrierë, pikërisht në Shqipëri. Marash Kumbulla e ndoqi nga stoli fitoren e shokëve të tij ndaj Leisterit (1-0) me goline shënuar nga anglezi Tami Abraham, dhe u gëzua njëlloj si ata. Për herë të fundit, Roma arriti një finale europianë në sezonin 1990-1991 në Kupën UEFA me Xhaninin dhe Fëlerin, pasi eliminoi radhazi Benfikën, Valencian, Bordonë, Anderlehtit dhe Brondbin, e duke u mundur nga Interi në dy ndeshje, 0-2 dhe 1-0. Në 1984, Roma e Kontit, Gracianit, Prucos, Di Bartolomeit apo Falkaos arriti finalen më të mëdha në historinë e saj, atë ndaj Liverpulit. Eliminoi Goteborgun, CSKA-në e Sofies, Dinamon e Berlinit dhe Dandi Junajtidin e Skocisë, por u mund në stadiumin e saj, “Olimpiko” nga të kuqtë pas penalltive. Trofeu i vetëm europian i Romës u fitua në 1961, Kupa e Qyteteve Panaire (më pas Kupa UEFA) ndaj Birmingemit, 2-0 dhe 2-2.

Sfidanti.al