Rejës i “paskan bërë dalje”, por Luixhi De Biaxho paska shumë “tangërllëk”!

Lamtumira qenka konsumuar dy javë më parë. Edi Reja mësohet se e ka mbyllur me kombëtaren shqiptare menjëherë pas miqësores me Italinë në 16 nëntor, me një darkë me Dukën. Kandidati kryesor si pasardhës i 77-vjeçarit është një tjetër italian, Luixhi Di Biaxho. Nuk dihet se kur mund të ketë një marrëveshje, apo nëse ndoshta një gjë e tillë ka ndodhur, por nga burime pranë Dukës mësohet se fillimisht Di Biaxho ka kërkuar një pagesë tepër të madhe.

Bisedimet nuk kanë qenë të lehta, dhe nga pala shqiptare i janë kërkuar objektiva tepër të larta për të justifikuar pagesën. Besohet se tekniku 51-vjeçar i ka ulur pretendimet, ndërsa do të marrë një shumë mbi rrogën për shpenzime udhëtimi, akomodimi e të tjera, që mund të shkojë nga 50 deri në 100 000 euro. Di Biaxho nuk ka një karrierë tepër të gjatë si trajner, por ka qenë në stolin e Italisë U21 për plot 58 ndeshje nga viti 2013 deri në 2019. Po ashtu, ka drejtuar kombëtaren e të rriturve të Italisë, me të Kaltrit që barazuan 1-1 miqësoren me Anglinë në “Uembli” në 2018, dhe humbën një tjetër miqësore me Argjentinën, 0-2.

Si trajner ekipesh të klubeve, Di Biaxho ka drejtuar për disa muaj SPAL-in e Ferrarës në 2020. Përveç 51-vjeçarit që mbetet kandidati kryesor për stolin, Duka ka edhe disa alternativa ku kryesore janë ato italiane me Marko Xhampaolon që mbetet dëshirë e presidentit. Andrij Shevçenko ndërkaq është i vetëofruar, ndërsa nuk përjashtohet edhe trajneri shqiptar nga Kosova, ish-kapiteni i kombëtares, Besnik Hasi.

Sfidanti.al