Reali, nga sherri Ramos-Marselo, tek fitorja në Vajadolid

Një fitore nuk mund ta shërojë një plagë sezonale, ashtu siç thotë shprehja se “gjeli (i detit) nuk shëndoshet se ushqehet për Bajram”! Gjithsesi është më mirë të fitosh sesa të humbasësh, dhe Realit ia doli të arrinte një sukses, madje të thellë, në stadiumin e Vajadolidit. Ishte një ndeshje e çuditshme e La Ligës, krejt në sintoni me ambientin madrilen këto 10 ditë.

Vajadolidi luajti shumë mirë, humbi penallti, kaloi në avantazh, krijoi dhe humbi rastë të shumta përballë një Reali pa “kokë” dhe pa kapitenin Sergio Ramos, të pezulluar. Gjithsesi, përballë ekipeve “normalë” të Spanjës, klasi superior i lojtarëve të Solarit e bën të vetën. Rafael Varan barazoi, pastaj Karim Benzema kaloi të vetët në epërsi me penallti. Sulmuesi francez, që ishte kapiten në mungesë të Ramosit, shënoi edhe golin e tij të dytë personal (22 në sezon), ndërsa Luka Modriç mbylli llogaritë.

Një fitore që thjesht përmirëson golaverazhin, ndërsa Reali mbetet i treti, 12 pikë prapa Barcelonës dhe 5 pikë prapa Atletikos. Gjithsesi, suksesi ishte përpjekje e ekipit për të reaguar. Kapiteni Ramos vendosi të udhëtonte me autobusin e ekipit drejt Vajadolidit (në foto), edhe pse ishte i pezulluar. Kjo, pas katastrofave të fundit, por edhe konflikteve të tij me presidentin Perez dhe me kapitenin e dytë, Marselo, ky sherr i fundit në stërvitje. Ndihma e kapitenit ishte e plotë dhe ndihmoi jo pak për fitoren.

Sfidanti.al