Reali fitoi dhe u shkëput, por Sevilja i tha “ndalu beg, se ka hendek”!

“Hay Liga”, thuhet në Spanjë, që do të thotë se “asgjë nuk ka përfunduar në kampionat”. Reali i Madridit mund të ketë iluzionin se ka më shumë se një fitore epërsi ndaj rivalëve, plot 4 pikë, pas suksesit 2-1 ndaj Seviljes në “Bernabeu”, por sezoni është i gjatë dhe pikërisht kjo përballje tregoi se edhe skuadra e Karlo Anelotit është e prekshme. Në tempulin e madrilenëve, Sevilja e trajnerit Hulen Lopetegi e tregoi veten po aq lart sa vendasit, madje edhe më shumë, duke mbajtur topin 51 për qind, duke pasur 5 gjuajtje në kuadrat ndaj 3 të vendasve, 10 gjuajtje gjithsej (11 Reali) dhe kornet i pati 4-0. Portieri Kurtua u detyrua të bënte 5 pritje, ndërsa në krahun tjetër u bë vetëm 1. Natyrisht, rezultat ishte fitore e “merengesve” që tani kanë 33 pikë ndaj 29 të Atletikos, kurse Barcelona ka vetëm 23 pikë për momentin. Benzema e Vinisius përmbysën epërsinë fillestare të miqve realizuar nga goli i Rafa Mirit. Sevilja kërkoi penallti, ndërsa tek Reali përveç Benzemasë e Vinisiusit, shkëlqyen edhe Valverde dhe Kamavigna që i dhanë energji skuadrës që nga stoli.

Sfidanti.al