Reali, finalja më e keqe, për epokën më të bukur në histori!

Që Reali nuk ishte ai i sezonit të kaluar, kjo dihej mirë edhe para “El Klasikos”, madje edhe kur ngriti në ajër trofeun e pestë të madh të vitit, Kupën e Botës së Klubeve. Gjithsesi, u desh përplasja me Barcelonën për të kuptuar se deri ku kanë degjeneruar punët në klubin më të madh të botës. Një katastrofë 0-3 në “Santiago Bernabeu”, pas së cilës të “shenjuar” për t’u “sakrifikuar” janë trajneri Zidan dhe Karim Benzema. Por, jo vetëm ata.

“Bernabeu” vërshëlleu rëndshëm Benzemanë, veçse fare pranë dënimit ishin Kovaçiç, Marselo madje edhe “el desaparecido” Kristiano Ronaldo. Portugezi e humbi duelin me Mesin, jo vetëm sepse Barça fitoi dhe Reali humbi, dhe jo vetëm sepse Leo shënoi. Në fund të fundit, ishte gol me penallti. Jo, argjentinasi tregoi klasin e tij, me dy pasime për gol në pjesën e parë kur Reali kishte ndërtuar një “kafaz” për të, dhe me nivel qiellor pas pushimit, duke asistuar edhe golin e tretë, shënuar nga Aleish Vidal.

Reali tani është 14 pikë prapa Barçës, edhe pse madrilenët kanë një ndeshje më shumë për të luajtur. As nuk bëhet fjalë për të pretenduar titullin dhe për të mbrojtur kurorën e fituar vjet. Do të duhet një “vetëvrasje” e katalanasve që kjo të ndodhë, dhe më përpara mund të dalë kampion Atletiko.

Trajneri “blaugrana”, Valverde e fitoi këtë herë duelin me Zidanin. Skuadra e tij luajti më mirë në 90 minuta, dhe Mesi, Iniesta, Sergi Roberto, Rakitiç apo Paulinjo bënë diferenën. Madje edhe shumë i kritikuari Luis Suarez. Pavarësisht nga dëmtimi i Alkaserit dhe Dembelesë, pavarësisht nga mosblerja e Kutinjos në verë, sërish Barça tregoi se ka potencial të madh, përvojë dhe mentalitet të rrallë.

Zidanin e kritikuar sepse la Iskon në stol, sepse vonoi me zëvendësimet e Asensios dhe Bejlit, si dhe për korrektimin e vonshëm të pozicionit të Naços. Gjithsesi, francezi nuk e uli kokën. “Mund të më vendosni në gijotinë, – tha ai, – por unë ju them se nuk do të ndryshoja asgjë, edhe sikur ndeshja të luhej sërish”. Në fund të fundit, 5 trofe në një vit janë shumë dhe nuk shuhen nga disa ndeshje të dobëta. Problemi është nëse presidenti i Realit, Florentino Perez, do të dijë të presë, apo do ta largojë atë për të cilin (sipas tij) “nuk ekziston fjala “e pamundur””.

Sfidanti.al