‘Santiago Bernabeu’ është ‘shtëpia’ e Realit, por aty fiton Barcelona

Në mediat spanjolle e sidomos në rrjetet sociale të ndodh të lexosh që Santiago Bernabeu është qendra e dytë stërvitore e Barcelonës. Dicka që mund të konfirmohet mjaft mirë nga ajo që u pa këtë të shtunë në El Clasicon e radhës mes këtyre dy gjigandëve të kampionatit spanjoll ku triumfin sërish e morën katalanasit. 3-0, një rezultat i pastër ky i djemve të Valverdes që e vështirë të kontestohet nga tifozët madrilenë të cilët u bënë sërish dëshmitarë të një turpërimi nga rivalët historikë e për më tepër një disfatë që erdhi 2 ditë pas zgjedhjeve të parakohshme në Katalonjë ku ironia e fatit deshi që fitues të dilnin independistët. Një fitore kjo që e bën akoma më të bukur festën e Krishtlindjeve në Katalonjë

Historia e Realit të Madridit dhe Barcelonës në El Clasicon që mbyll vitin 2017 në futbollin spanjoll ishte e pasur me episode, gola dhe emocione. 0-0 ishte rezultati i 45 minutave të para ku përvecse një goli të anuluar me të drejtë të Ronaldos për pozicion jashtë loje u panë edhe raste të humbura nga të dy krahët ku Navas dhe Ter Shtegen shfaqën aftësitë e tyre pa harruar këtu edhe një shtyllë të Benzema. Pjesa e dytë kishte një tjetër pamje, Barcelona ishte ajo që këtë radhë kishte një marsh më shumë se Reali, dhe kjo u duk menjëherë pasi Suarez i dha avantazhin me golin e shënuar që erdhi si pasojë e një aksioni të nisur nga Serxhi Buskets. Dhjetë minuta më vonë erdhi edhe shuplaka e dytë, Barcelona fitoi një 11 metërsh pas një prekje të topit me dorë të Karvahal si të bënte një bllokim në volejboll. Messi nuk mund të gabonte në fushën e tij të preferuar dhe e coi në 25 numrin e golave të tij në ‘El Clasico’. Por ky gol e shtoi edhe më shumë legjendën e argjentinasit që theu edhe rekordin e Gerd Myler të golave të shënuar me një fanelë të vetme, 526 kundrejt 525 të gjermanit. Po Ronaldo ku ishte? Pas një starti të zjarrtë, portugezi filloi të mos dukej më në fushën e lojës, ndërkohë që Barcelona gjeti kohë për të shënuar edhe golin e tretë, me Vidal pas një pasimi të të zakonshmit Messi. Një fitore që e sheh Barcelonën që shkojë me një shpejtësi marramendëse drejt titullit duke parë se fdiferenca me Atletikon ka shkuar në 9 pikë, ndërsa ajo me Realin plot 14 pikë, me madrilenët që kanë një ndeshje më pak.

sfidanti.al