Reali e Liverpuli në çerekfinale të Championsit, PSG ende i vogël!

Edhe nëse do të kishte qenë Nejmar, me shumë gjasa do të kishte përfunduar pak a shumë kështu. Me Realin në çerekfiale të Championsit, madje në mënyrë mund të thuhet komode, dhe me Paris SG sërish jashtë, dhe të menduar për të gjetur shkaqet e disfatës së radhës. Klubi i milionerëve të Francës, ndryshe nga ai i milionerëvë të Anglisë (Man. Siti) nuk duket se ka qenë i aftë të ndërtojë një skuadër të vërtetë futbolli, të aftë që të matet me gjigandët.

Kristiano Ronaldo e Kasemiro shënuan golat në “Park dë Prensis”, me luftëtarin Edinson Kavani që barazoi përkohësisht dhe me gjaknxehtin Verrati sërish të përjashtuar me të kuqe. Me ndeshjen e parë të fituar 3-1, të besuarit e Zinedin Zidanit u dukën padronë të fushës në pjesën e parë. Më shumë skuadër, më kolektiv, duke lëvizur në bllok nga mbrojtja në sulm, ndryshe nga PSG që kishte distancë mes reparteve, gjë që solli vështirësi për të dalë në sulm.

Kjo penalizoi më shumë Kavanin dhe disi Mbapenë, ndërsa Verrati apo Rabio nuk përballuan dot luftën në mesfushë. Jo vetëm kaq, por pati edhe gabime të mëdha në mbrojtje që kushtuan golat.

Gjithsesi, madrilenët goditën pas pushimit, atëherë kur Parisi kishte momentin më të mirë duke rrezikuar disa herë. Padyshim, edhe çështje futbolli, por edhe çështje talenti. Parizienët kishin disa veteranë si Dani Alvesh, Tiago Mota apo Tiago Silva, ndërsa Reali pati edhe lojtarë klasi dhe të rinj si Asensio, Lukas Vaskez apo Kovaçiç, përveç kampionëve si Ronaldo, Ramos apo Marselo.

Në çerekfinale edhe Liverpuli, por në mënyrë më të qetë. Anglezët kishin fituar 5-0 në Porto, ndaj në “Anfild” u mjaftuan për të kontrolluar lojën, në një ndeshje që përfundoi pa gola. Trajneri Klop la pushim yllin e sulmit, Salah, dhe atë të mbrojtjes, Van Dajk. Nesër në fushë do të jenë Totenhem-Juventus dhe Mançester Siti-Bazel.

Sfidanti.al