Institucioni i futbollit shqiptar heziton të jap shpjegim për çështjen e sulmuesit të Kombëtares Shpresa, Fiorin Durmishaj. Madje, mediat greke kanë njoftuar gjatë ditëve të fundit se nuk është çudi që lojtari me origjinë nga Vlora të ndërrojë Kombëtare, edhe pse, në fakt ka luajtur deri më tani 5 ndeshje me fanellën kuqezi të Shqipërisë U-21. Gazeta kërkoi dje një reagim zyrtar nga FSHF, por edhe vetë trajneri i Shpresave, Alban Bushi, i cili ka folur gjithnjë me superlativa për Durmishajn. Mirëpo, qoftë zyra për shtyp e institucionit të futbollit, si dhe gjithashtu Bushi, nuk bënë asnjë koment lidhur me përpjekjen e federatës greke për të joshur sulmuesin shqiptar që luan me Panioniosin.
Nëtë sezon, Durmishaj ka shpërthyer në Greqi, madje gazetat helene e krahasojnë me ish-sulmuesin e Kombëtares së këtij vendi, Jorgos Samaras që dikur ka luajtur për Mançester Sitin dhe Sëlltikun. Gjithsesi, heshtja e institucionit të futbollit duket e çuditshme, për më tepër që zërat për Durmishajn janë shtuar. Vetë lojtari, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me atë që është shkruar në mediat greke.
Marrë nga Panorama Sport