Qortimi i Gatuzos për Rrahmanin: Më pak kohë me celularin e rrjetet sociale!

Nuk është ende tek brezi i vjetër, por kur hyn në rolin e trajnerit sikur thinjesh para kohe. Xhenaro Gatuzo është “babagjyshi” i Napolit, një “plak” që ka qenë i tillë edhe si lojtar tek Milani, ndërsa i tha disa fjalë mbrojtësit të tij, Amir Rrahmani. Futbollisti 26-vjeçar i Kosovës luajti një pjesë loje dhe bëri një gabim duke i dhuruar golin Udinezes, dhe Gatuzo e zëvendësoi. Në fund ndeshja u fitua pas golave të Lorenco Insinjes në 15’ me penallti dhe Bakajokos në sekondat përmbyllëse, dhe Gatuzo foli kështu për Rrahmanin: “Më vjen keq për gabimin pasi është një profesionist shumë i mirë, do ta ketë edhe në të ardhmen shansin e tij, por desha ta zëvendësoja para kohe, të rinjtë e sotëm duhet të mësojnë që të mos shpërqëndrohen tepër, rrinë pak si shumë me telefon në dorë, dhe lexojnë shumë gjëra, nuk duhet të jetë kështu e të bëjnë thashetheme, nëse nuk i shpenzojmë energjitë për këto gjëra, bëhemi lojtarë më të mirë”.

Sfidanti.al