Ky në foto është tifozi i Birmingamit, Pol Miçëll (Paul Mitchell), menjëherë pas ndalimit në fushën e lojës, kur goditi lojtarin e Aston Vilës, Xhek Grelish (Jack Grealish). Siç është normale në Britaninë e Madhe, tifozi iu dha drejtësisë, dosja e tij nuk mbeti në ndonjë sirtar prokurori, dhe gjykata mori vendimin: Dënim 14 javë me burg! Kushdo, mund të kërkojë në mediat britanike dhe ta gjejë të vërtetën!
Në Shqipëri, shpikësve që u duket se njerëzit marrin vesh me dru, pra së pari kryeministrit tonë, u është mbushur mendja top se dinë më shumë sesa drejtësia britanike, dhe po bëjnë gati ligjin për të dënuar me 3 vjet burg (apo më shumë) atë që bën dhunë në fushat e futbollit. Këta njerëz janë të vendosur të ecin në rrugën e tyre të pashpirt, siç bënë kur kërkuan detyrimet e energjisë elektrike pa një pa dy, edhe tek ata që nuk kishin, dhe detyruan kryefamiljarë që të varnin veten, se nuk kishin rrugë tjetër!
Gjithsesi, këtu ka një “yçkël”. Qeveritarët tanë e kanë shumë të lehtë të kapin një tifoz të thjeshtë e të çoroditur dhe ta përplasin me vite në burg, por do ta bëjnë këtë me presidentë që hyjnë në fushë dhe japin grushta (u japin hetim në gjendje të lirë), as me presidentë që bëjnë sherr nëpër rrugë.
Ndaj qeveritarëve të tillë, nuk na mbetet veçse të përsërisim shprehjen e Fan Nolit, për qeveritarët e kaluar, kur thoshte se “kur nuk doni të mësoni as nga Britania e Madhe, as nga Austria, atëherë paçi veten në qafë”!
Sfidanti.al